Now Loading

Salihu: Ndihma e Qeverisë për bizneset e prekura nga pandemia, shumë simbolike

Pronari i “Dino Company” Abedin Salihu ka treguar se për shkak të pandemisë kanë qenë të detyruar të largojnë nga puna 15 punëtorë.

Salihu ka treguar se pandemia poashtu ndikoi në ngecjen e projekteve të kësaj kompanie.

“Realisht ne kemi pasur një numër të punëtorëve të specializuar në punë të cilët nuk kemi mundur t’i largojmë për shkak se na janë duhur pastaj në periudhën e pritjes për zhvillimin e biznesit tonë. Por disa të tjerë po”.

“Si punëtor fizik apo punëtorë që i kemi marrë për ndihmë ka pasur largime të tilla. Jo numër të madh. Gjithmonë me shpresë që do të hapet tregu dhe do të punohet më shumë, mirëpo kemi pasur diku rreth 15 punëtorë që i kemi larguar nga puna”.

“Sikur gjithë kompanitë edhe kompaninë tonë e ka prekur pandemia, posaçërisht sektorin e ndërtimit ku kemi pasur ngecje të punës në projektet tona që kemi pasur në zhvillim. Dhe njashtu kemi pasur edhe ngecje në shitje për shkak se njerëzit nga paniku që është krijuar faktikisht janë ndalur dhe nuk kanë bërë investime në shtëpi e banesa dhe në patundshmëri”.

Për Salihun ndihma e Qeverisë dhënë bizneseve ka qenë simbolike, shumë e vogël.

“Ndihmat nga Qeveria kanë qenë shumë të vogla. Dhe ato ndihma nuk kanë mundur që të plotësojnë mungesën dhe hapësirën, mendoj zbrastësinë e pandemisë. Ka qenë një ndihmë simbolike të them ndoshta edhe si ndihmë sociale” ka thënë ai.

Poashtu Salihu ka kërkuar reflektim nga ana e Qeverisë që të marr kredi për mbështetjen e bizneseve në Kosovë.

“Është një matematikë e thjeshtë, rritja e konsumit e rrit prap edhe buxhetin e shtetit. Zhvillimi i ekonomisë bëhet në momentin kur ne kompanitë marrim kredi për të kryer një projekt dhe në atë projekt ne marrim punëtorë, kredi dhe me punën tonë ja kthejmë kredinë bankës. Po të njëjtën duhet ta bëjë edhe shteti, të marr kredi për zhvillim të bizneseve në këtë fazë, ta ndihmojë biznesin në zhvillim të projekteve që kanë dhe ato mjete prapë do të kthehen në shtet dhe shteti pastaj mund ta kthej kredinë që ka marrë. Funksionon e njëjta formë që funksionon edhe me bizneset tona”.

“Dëshiroj që shteti të reflektojë në këtë pikë pasi që edhe vet shteti do të ketë probleme nëse ne kemi probleme. Unë e shoh që shteti mbledhë taksat nga ne dhe i kthen në shërbimin tonë. Mirëpo nëse nuk ka taksa nga ne atëherë edhe vet shtet do të ketë problem të ekzistojë si shtet”.

Salihu ka njoftuar se kjo kompani është në përfundim të një projekti në Brezovicë i cili do të punësojë rreth 70 punëtorë.

“Kemi disa projekte ku shpresojmë se do të kemi përkrahje nga Qeveria sepse duhet të rrisim kapacitet tona dh të realizojmë projektet tona të cilat i kemi filluar. Projekte në ndërtim i kemi diku afër 30 mijë metra katror në Prishtinë dhe Lipjan për këtë vit. Pastaj kemi projektin në përfundim që do të bëhet hapja e hotelit në Brezovicë ‘Hotel Brezovica’ të cilin e kemi bërë me ndihmën e kredive nga bankat vendore. Ky është një prej projekteve ku do të punësohen afërsisht 70 punëtorë”.

“Edhe pse ka qenë krizë, gastronomia ka pasur probleme më të mëdha në zhvillim, ne e kemi marrë këtë hap për shkak s kemi parë që në Brezovicë ka nevojë shumë që të zhvillohet turizmi dhe kërkesa nga Shqipëria ka shumë. Ne po mundohemi që tu ofrojmë një shërbim cilësor që ata të kalojnë pushime të mira”, ka përfunduar Abedin Salihu për EO.