Now Loading

Ngritet aktakuzë ndaj personit që dëgjohet duke e kërcënuar kryesuesen e vendvotimit në Lipjan

Prokuroria në Prishtinë, ka ngritur aktakuzë ndaj personit i cili përdori fjalë kërcënuese ndaj kryesueses së vendvotimit në gjimnazin “Ulpiana” në Lipjan, të dielen më 14 shkurt, gjatë procesit zgjedhor.

Veprimet kanë ardhur pas raportimit ekskluziv të KALLXO.com për këtë rast, duke shfaqur video-dëshminë nga vendi i ngjarjes.

Ngritjen e aktakuzës ndaj të dyshuarit me inicialet F.Sh., e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë së Prishtinës, Laureta Ulaj.

“Për rastin i cili ka ndodhur në Lipjan, ditën e zgjedhjeve, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 15 shkurt ka ngritur aktakuzë të drejtpërdrejtë, me kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj një personi, për veprën penale ‘Pengimi i procesit të votimit’”, thuhet në përgjigjen e saj.

Incidenti në Lipjan ka ndodhur në kohën kur qytetari refuzoi që të skanonte duart para se të votonte, në mënyrë që të verifikohej nëse kishte votuar më herët të dielën.Por pas kësaj kërkese, qytetari filloi ta kërcënonte kryesuesen e vendvotimit.

“Oj ti çikë ma se dhëmbët t’i thej, lësho fletën”, i drejtohet qytetari, kryesueses së vendvotimit ndërsa nga dora i kap një letër që po mbante ajo.

Më pas kryesuesja e vendovotimit, ka tentuar të thërrasë policinë dhe zyrtarët tjerë të KQZ-së, por qytetari ka vazhduar ta kërcënojë.

“Hej rri urtë as një zë mos ta ni a u morëm vesh, idiotka. Po të kallëzoj pasha fmijtë që i kam nuk jeton, dëgjom mirë çka po të them. Kush je more ti. O ti nuk guxon me e prek, mos e prek (deri sa merr fletoren ku shënohen parregullsitë dhe e hudh në tokë”, i drejtohet qytetari komisioneres.Më tej, në pamjet të cilat ka siguruar KALLXO.com, i dyhsuari hyn në vendvotim edhe një zyrtare policore e cila nxjerr jashtë qytetarin. Ai rezistoi të largohet nga vendvotimi ndërsa vazhdon kërcënimin.Rastin e kishte konfirmuar për KALLXO.com edhe Policia e Kosovës.

“Rreth orës 14:30 është pranuar informata për një rast kanosjeje ndaj një zyrtareje në qendrën e votimit në shkollën e mesme Ulpiana në Lipjan. Policia menjëherë i është përgjigjur kësaj thirrjeje dhe ka filluar trajtimin e rastit. Veprimet vijuese po ndërmerren në koordinim me prokurorin e shtetit.

Informacion shtesë:

Ndaj të dyshuarit F. Sh mashkull, 40 vjeç, pas, trajtimit të rrethanave të rastit policia ka shqiptuar masën e arrestit dhe me rekomandimin e prokurorit të shtetit i njëjti dërgohet në mbajtje prej 48 orësh”, thuhej në përgjigjen e PK-së, më 14 shkurt.