Now Loading

KQZ merr vendim: Edhe qytetarët me letërnjoftim të skaduar mund të votojnë

Komisioni Qendror I Zgjedhjeve (KQZ), ka marrë vendim që të lejojë të votojë të gjithë qytetarët që kanë letërnjoftim me afat të skaduar.

Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“Sapo i kemi njoftuar Komisionet Komunale të Zgjedhjeve se KQZ ka marrë vendim për lejimin e votuesve që të votojnë me letërnjoftime me afat të skaduar dhe të cilët figurojnë në Listat Përfundimtare të Votuesve”, ka theksuar ai.

Ndryshe, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, ka bërë të ditur se deri në ora 11:00 kanë votuar 145 mijë e 650 votues.

Këto janë zgjedhje të parakohshme parlamentare, ku në garën zgjedhore janë 21 parti politike, 2 koalicione dhe 5 iniciativa qytetare.

Ndërsa, numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar është 1 mijë e 52 kandidatë.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit të drejtë vote kanë 1,794,862 qytetarë, ndërsa numri i Qendrave të Votimit në të gjithë Kosovën është 888, me gjithsej 2 mijë e 382 vendvotime.