Now Loading

Arbnor Morina flet nga Turqia, tregon më të rejat për skuadrën e Arbërisë

Ekspedita e klubit të Arbërisë ka pesë ditë që është zhvendosur në Antalia të Turqisë.

Arberia për herë të parë po kryen fazën përgatitore në tokën turke, para fillimit të stinorit pranveror.

Trajneri i Arbërisë, Arbnor Morina, në një intervistë për Gazetën inFokus ka folur për përgatitjet, kushtet në Antalia, formën e lojtarëve, ndeshjet miqësore, përforcimet dhe synimet e ekipit lipjanas për pjesën e dytë të kampionatit.

“Faza përgatitore po shkon në mënyrë fantastike. Po stërvitemi nga dy herë në ditë. Kushtet e punës janë fenomenale dhe hoteli ku jemi të vendosur është super luksoz. Këtu duhet falënderuar kryetarin dhe kryesinë e klubit që po na qëndrojnë afër gjatë gjithë kohës”, tha fillimisht Morina.

Tekniku prishtinas theksoi se futbollistët e tij po punojnë më përkushtim të madh gjatë gjithë kohës.

“Jam i kënaqur me angazhimin e të gjithë futbollistëve. Ata po punojnë më përkushtim shumë të madh, sikurse kanë punuar gjatë gjithë kohës”, shtoi ai.

I pari i shtabit teknik të Arbërisë foli edhe për ndeshjet miqësore dhe formën e lojtarëve të tij.

“Ditën e djeshme kemi zhvilluar ndeshjen e parë miqësore me ekipin e Superligës së Rusisë, Akhmat Grozny, ku kemi pësuar disfatë me rezultat 3-1. Në këtë takim janë paraqitur të gjithë lojtarët dhe kemi vërejtë disa mangësi, të cilat na kushtuan edhe më pranimin e golave, por me punë do ti mënjanojmë edhe ato gabime”, deklaroi ai.

Për fund Morina foli edhe për përforcimet e mundshme dhe synimet që ka klubi i Arbërisë në pranverë.

“Nëse kemi nevojë imediate ndoshta edhe do të përforcohemi, kurse sa i përket synimeve, ne kemi për qëllim që të stabilizohemi sa më shumë në tabelë”, përfundoi Arbnor Morina.

Arbëria e ka mbyllur stinorin pranveror në pozitën e 6-të me 21 pikë të arkëtuara pas 18 ndeshjeve të zhvilluara.

Skuadra nga Lipjani është kualifikuar edhe në 1/8 e finales së Kupës së Kosovës, aty ku do të takohet me Feronikelin me 10 shkurt.